Një sulm i rëndë kibernetik ndaj administratës së Berlinit ka marrë një tjetër përmasë, pasi grupi i hakerëve “Rhysida” ka publikuar në dark web një sasi gjigante të dhënash, që dyshohet se arrin në afro 6 terabajt dhe përfshin rreth 1.4 milionë skedarë. Mes materialeve të publikuara dyshohet se ndodhen edhe informacione jashtëzakonisht sensitive, përfshirë dokumente të lidhura me sigurinë dhe planet e emergjencës së autoriteteve gjermane, transmeton Telegrafi. Një prej dosjeve mban emërtimin “AG CBRN-Rahmenplanung”, ku CBRN i referohet kërcënimeve kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore.
Kjo ka ngritur shqetësime se materiale mbi skenarë të mundshëm kërcënimesh mund të jenë tashmë të qasshme për persona të paautorizuar, përfshirë grupe kriminale apo shërbime të huaja inteligjence.