Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim delegacionin e prirë nga kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Giuseppe Cavo Dragone, dhe kreu i Komitetit Ushtarak të Bashkimit Evropian, Gjenerali Sean Clancy. Gjatë takimit, kryeministri Kurti shprehu falënderimin për angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të NATO-s për paqe, stabilitet dhe parandalim në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, ndërsa tha se roli i KFOR-it mbetet thelbësor jo vetëm për sigurinë e vendit, por mbarë rajonit. Kryeministri Kurti theksoi se, për Kosovën, NATO-ja nuk është vetëm garantues i sigurisë, por orientim strategjik dhe destinacion.
Në kontekst të procesit të integrimit evropian, ai tha se krahas politikës së pranimit, duhet t’i kushtohet rëndësi edhe dëshirës për anëtarësim.