Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me situatën politike në vend dhe zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, duke shprehur shqetësim për mënyrën e ushtrimit të pushtetit dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Ai ka thënë se Kosova nuk i përket një force të vetme politike apo një lideri të vetëm. “Kosova nuk i përket një lëvizjeje, një lideri apo një narrative të vetme.
Ajo u përket qytetarëve të saj,” ka thënë Rama. Duke komentuar situatën në Kuvend, ai ka vlerësuar se ajo është shqetësuese dhe tregon, sipas tij, për përqendrim të rrezikshëm të pushtetit. “Situata që po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës është thellësisht shqetësuese dhe pasqyron një përqendrim të rrezikshëm të pushtetit, që minon vetë themelet e republikës sonë demokratike,” ka deklaruar ai.